LDK-ja Kërkon Masa Urgjente për Lumenjtë dhe Gurthyesit

Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri të enjten në seancën parlamentare është interesuar të dijë në lidhje me ndotjen e lumenjve dhe çështjen e gurthyesve në Kosovë.

Me këtë rast ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani tha se institucioni që ai drejton e ka si prioritet kryesor çështjen e lumenjve dhe gurthyesve.

“Atë që unë e kam bërë prej se kam ardhur në ministri është se e kam identifikuar këtë çështje si prioritet të lartë dhe kam kërkuar ngritjen e një komisionin për të analizuar situatën. Kjo çështje nuk mund të adresohet vetëm me një ose dy institucione por duhet të merren që nga politika deri në institucione të ndryshme,” tha Agani.

Por përgjigja e ministrit Agani nuk e bindi deputeten e LDK-së, Besa Gaxherri.

“Pajtohem se kjo çështje është shumë komplekse dhe duhet të kyçen shumë institucione por ne (LDK-ja) këtë çështje e kemi ngritur në shkurt të këtij viti dhe unë prita diçka konkrete që është marrë kjo masë, ose ky veprim apo ndonjë strategji,” tha Gaxherri.

Ajo bëri të ditur se me këtë shkatërrim lumenjsh nuk mund të hyhet në BE.

“Ne po pretendojmë integrime evropiane dhe duhet marrë parasysh se në çfarë gjendje janë lumenjtë dhe çfarë korrupsioni bëhet me gurthyes. Unë kërkoj urgjentisht që të kemi masa konkrete dhe jo strategji sepse kemi ligje,” tha Gaxherri.

Ministria e Ambientit kur drejtohej nga Dardan Gashi kishte ndaluar eksploatimin e zhavorrit nga shtretërit e lumenjve, por një hulumtim i Emisionit “Drejtësia në Kosovë” në majin e vitit 2014, kishte zbuluar se ky zhavorr eksploatohej edhe pas ndalimit në rajonin e Dukagjinit.

Kundër eksploatuesve dhe seperacioneve të zhavorrit protestuan më 4 korrik banorë nga tri fshatra të Pejës.