Kryeministri Mbledh Kryetarët e Komunave Për t’u Treguar Çka po Punohet

Modernizimi dhe vetëavancimi i qeverisjes lokale është një ndër prioritetet e Qeverisë, tha Kryeministri Isa Mustafa gjatë takimit me kryetarët e komunave.

Në takimin në të cilin munguan kryetarët e komunave të Prishtinës e Gjakovës, Shpend Ahmeti e Mimoza Kusari- Lila, kryeministri tha se tashmë e ka draftin final të strategjisë për qeverisjen lokale dhe tregoi se cili do të jetë roli i tij.

“Strategjia për vetëqeverise lokale do të vendosë kornizat e politikave zhvillimore si dhe do të ndihmojë zhvillimin ekonomik lokal në politikat e financimit dhe në avancimin e autonomisë të vetëqeverisjes lokale”, tha Mustafa.

Në këtë takim mungoi edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, ndërsa zëvendësi i tij, Bajram Gecaj, tha se ky takim është thirrur për t’u treguar komunave çka po bëhet nga qendra.

“Monitorimi i komunave është bërë me vendim të qeverisë ndërsa nga tani e tutje do të kemi një rregullore e cila do të rregullojë se si do të monitorohen komunat nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal”, tha Gecaj.

Sipas tij, janë diskutuar edhe çështje të tjera me kryetarët prezentë.

Gecaj tha se disa kryetarë kanë dërguar përfaqësues sepse janë në vizita jashtë shtetit e disa të tjerë nuk kanë ardhur e as nuk kanë dërguar përfaqësues.