Jahjaga Shtyn Darkën e Lamës

Darka e Lamës e cila ishte e paraparë të mbahej sot, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Një njoftim të tillë e ka bërë sot Zyra e Presidentes së Kosovës, pasi që një darkë e tillë organizohet nën patronazhin e saj.

“Zyra e Presidentes njofton opinionin publik se manifestimi tradicional ‘Darka e Lamës’, i paraparë të mbahet sot në qytetin e Pejës, është shtyrë për një kohë tjetër për shkaqe organizative dhe teknike”, thuhet në komunikatën e zyrës së Presidentes.

Në vitin 2014 kjo darkë ishte mbajtur në komunën e Gjakovës.

“Darka e Lamës” e cila fillimisht ka filluar të mbahet nga Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, njihet edhe si “Dita e Falënderimeve”, e cila kryesisht organizohet në përfundimin e të korrave.