Jahjaga Dekoron Jacobsonin në Takimin Lamtumirës

Presidentja Jahjaga dekoroi sot ambasadoren Jacobson me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Departamenti i Informacionit në Presidencë Tracey Ann Jacobson u dekorua “për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.

Sipas komunikatës Jacobson e falënderoi presidenten për medaljen presidenciale, ndërsa vlerësoi si shumë të veçantë miqësinë me qytetarët e Kosovës.

Jahjaga çmoi punën e Jacobsonit për përkrahjen e proceseve demokratike në Kosovë.

Ambasadorja Jacobson është duke i dhënë fund periudhës trevjeçare të përfaqësimit të SHBA-ve në Kosovë.

Pozitën e Jacobsonit pritet ta marrë diplomati amerikan Greg Dellawie.