Islamaj: Sot nuk do të Ketë Vendim për Shkarkim të Rektorit

Kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së Shefkije Islamaj tha se sot nuk do të merret vendim për shkarkimin e rektorit.

Islamaj deklaroi për KALLXO.com se sot në takimin e Këshillit Drejtues dhe Senatit vetëm po diskutohet rreth punëve që janë bërë dhe atyre që kanë mbetur të pakryera.

Ajo mohoi se në këtë takim do të vendoset për shkarkimin e rektorit.

“Secili ka paraqitur ankesat përmes të cilave mendon se çka është bërë mirë, ose çka nuk është bërë mirë. Jo, sot nuk do të ketë vendim për shkarkim, sepse nuk është mbledhje, por është vetëm një takim,” deklaroi Islamaj.

Ajo sqaroi se në takimin e këtyre dy organeve të UP-së që po vazhdon, vetëm po bisedohet për kërkesën e 28 senatorëve që rektori Ramadaan Zejnullahu të shkarkohet.

“Ky është një takim që janë duke biseduar Këshilli Drejtues dhe Senati pikërisht për çështjen e inicimit. Ky takim nuk ka përfunduar, dhe këtu nuk do të vendoset asgjë përveç se do të dëgjohen palët,” tha Islamaj.

Diskutimin lidhur me këtë kërkesë të senatorëve, Këshilli Drejtues e mori në mbledhjen e mbajtur më 14 tetor.

14:10

Kërkesa për Shkarkim të Rektorit po Shqyrtohet nga Senati dhe Këshilli Drejtues

Ende nuk ka një vendim rreth kërkesës së disa senatorëve për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu.

Një burim nga takimi maratonik që ka filluar qysh në mëngjes ka thënë se ende nuk ka ardhur koha për vendim.

“Është duke u biseduar për pikat e kërkesës së senatorëve për shkarkimin e Rektorit”, tha për KALLXO.com një burim brenda takimit.

Aktualisht pjesëmarrësit e këtij takimi- anëtarët e Këshillit Drejtues dhe Senatit- kanë marrë gjysmë ore pauzë për të vazhduar sërish në çështjen e njëjtë.

Javën e kaluar, Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se kërkuesit e dorëheqjes së Zejnullahut kanë lansuar një varg akuzash ndaj rektorit Zejnullahu, që nga përdorimi i standardeve të dyfishta, veprimeve të padrejta, e deri tek ngulfatja e demokracisë në Universitetin e Prishtinës. Zejnullahu, nga ana tjetër, është kundërpërgjigjur duke thënë se po i ngulfat avancimet e benefitet e pamerituara të profesorëve universitarë.

10:49

Këshilli Drejtues dhe Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë mbledhur sot në mëngjes për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në këtë institucion të arsimit të lartë.

Një ndër pikat e paralajmëruara të rendit të ditës është edhe ajo e shkarkimit të rektorit Ramadan Zejnullahu, e kërkuar nga 28 senatorë javë më parë.

Gazetarët janë përzënë nga mbledhja e cila është quajtur si “takim konsultativ” ndërmjet këtyre dy organeve të Universitetit.

Për të mos lejuar qasjen e gazetarëve, anëtarët e Senatit kanë thirrur edhe votim. Procesi i votimit tregoi se 26 anëtarë të Senatit nuk u duan mediat brenda, ndërsa 13 të tjerë ishin për praninë e tyre.

Burimet brenda takimit thonë se më i zëshmi kundër pranisë së mediave në takim ishte anëtari i Senatit, Bujar Dugolli, dekan i Fakultetit të Filozofisë i cili u shpreh se “mediat po bëjnë propagandë dhe presion” ndaj tyre.

I ashpër ka qenë edhe Arben Mehmeti nga Parlamenti Studentor.

“Nuk mund t’i lejojmë mediat me vendosë rregull në shtëpinë tonë”, ka thënë Mehmeti.

Nga anëtarët e Këshillit Drejtues, vetëm Shefkije Islamaj dhe Ismet Salihu votuan në favor të pranisë së mediave në këtë takim, ndërsa në mesin e atyre që votuan kundër ishin edhe Alberta Troni, Zeqir Veselaj, Beqir Sadikaj e Fevzi Berisha.

Por moslejimi i mediave është në kundërshtim me një kërkesë të cilën javën e kaluar, Ministria e Arsimit e kishte për universitetin.

Më 16 tetor, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i kishte dërguar një letër kryesueses së Këshillit Drejtues të UP-së, Shefkije Islamaj, me të cilën ishte vënë në dijeni edhe rektori Ramadan Zejnullahu dhe sekretari i UP-së, Esat Kelmendi, për zbatimin e standardeve të transparencës në punën e organeve të Universitetit.

Në letër, Bajrami shkruante se MAShT ka pranuar ankesa dhe shqetësime nga gazetarë dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtarë në Kosovë, për mos zbatimin e parimeve dhe standardeve të transparencës në ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Ju lutemi të merrni të gjitha masat adekuate, në përputhje me ligjin, për të siguruar qasjen dhe pjesëmarrjen e medieve të shkruara/elektronike dhe përfaqësuesve të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, në mbledhjet e Këshillit Drejtues dhe në veprimtarinë e organeve tjera të Universitetit”, thuhej në letrën e ministrit për organet drejtuese të UP-së.