EULEX Shfuqizon Vendimin e Çelajt, Sabit Geci Prapë në Arrest Shtëpiak

Gjykatësit e EULEX-it kanë vendosur të shfuqizojnë vendimin e zëvendës ministrit të Drejtësisë, Lirak Çelaj, për pezullimin e dënimit për ish eprorin e UÇK-së, Sabit Geci.

Në një vendim i cili është marrë sot, gjykatësit e EULEX-it kanë vendosur që Gecit t’ia ndalojnë udhëtimet jashtë vendit duke e caktuar një masë të arrestit shtëpiak për të. KALLXO.com mëson se kjo masë është caktuar nga një gjykatës i EULEX-it i cili këtë vendim e ka marrë i shtyrë nga vendimi i zëvendës ministrit të Drejtësisë Lirak Çelaj me të cilin Gecit i ishte pezulluar vuajtja e dënimit me qëllim që të dërgohet në shërim jashtë vendit.

Lajmi për këtë vendim është konfirmuar edhe nga Haxhi Millaku, avokat i Sabit Gecit.

Ai ka konfirmuar se EULEX ka gjetur një mënyrë tjetër për ta mbajtur Gecin në Kosovë.

“Arsyeja e caktimit të masës së arrestit shtëpiak përkon me gjykimin e Grupit Drenica ku Geci ishte shpallur i pafajshëm mirëpo për këtë vendim prokurori ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe për këtë arsye gjykatësi ka vlerësuar se ekziston rreziku që ai të mos paraqitet në seancat e mundshme gjyqësore në Gjykatën e Apelit”, ka thënë Millaku.

Ai shtoi se e ka njoftuar EULEX-in se Sabit Geci ndodhet ne Spitalin Ushtarak në Tiranë në Klinikën e Kardiologjisë ku e ka të caktuar terminin për kontroll dhe mund t’i nënshtrohet edhe ndonjë operacioni.

Millaku ka thënë se i ka kërkuar EULEX-it kohë që të përfundojnë këto trajtime mirëpo ata kanë dhënë një përgjigje se vendimi i tyre duhet të zbatohet.

“Unë u kam treguar premtimin e klientit tim se ai do të vijë brenda kohës sa më të shkurtë të mundshme, kam kërkuar 24 orë kohë që ai të kthehet”, ka thënë Millaku.

Geci i cili po vuante dënimin me burgim për krime lufte u la i lirë me një vendim të Ministrisë së Drejtësisë të nënshkruar nga zëvendës ministri Lirak Çelaj.

Vendimi për pezullimin e dënimit ishte marrë me arsyetimin se Geci ka nevojë për shërim jashtë vendit për shkak të sëmundjeve nga të cilat vuan.