Erdogan e Fut Dhëndrin në Garë për Deputet

Partitë politike turke të martën kanë dorëzuar listat e tyre të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të qershorit, ndërsa Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka futur në garë dhëndrin e tij, raporton AFP.

Berat Albayrak, burri i vajzës së madhe të Erdoganit Esra, është një nga kandidatët për deputetë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e cila udhëheq qeverinë e Turqisë.

Erdogan vlerësohet shumë i afërt me familjen Albayrak, e sidomos me Sadikun, babanë e Beratit. Shumë liderë botërorë kanë qenë të pranishëm në dasmën e Berat Albayrak me Esra Erdogan në qershor të vitit 2004.

Berat Albayrak deri në fund të vitit 2013 ka qenë shef ekzekutiv i kompanisë CalikHolding dhe që nga atëherë më shumë ka shkruar komente ekonomike në gazetat pro-qeveritare, duke krijuar pritjet që në të ardhmen mund të lëvizë drejt një posti qeveritar.

Ka pasur raportime se edhe vajza e vogël e Erdoganit, Sumeyye, mund të garojë për një vend në parlamentin 550 anëtarësh të Turqisë, por këto raportime janë hedhur poshtë nga AKP.

Kryeministri Ahmet Davutoglu do ta përfaqësojë listën e kandidatëve në rajonin e tij Konya në qendër të Turqisë, ka thënë AKP.

Zgjedhjet e 7 qershorit po shihen se një moment kyç në historinë moderne të Turqisë, me AKP-në që po kërkon një shumicë e cila mund ta ndryshojë kushtetutën dhe t’i kalojë më shumë pushtet Presidentit.