Dy të Lënduar nga Therjet me Thikë në Regjionin e Prizrenit

Policia në Prizren njoftoi se dje dy persona janë lënduar nga therjet me thikë në dy raste të ndryshme.

“Rreth orës 15:40 minuta, policia në Prizren ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në Urgjencën e Spitalit Rajonal ndodhet një person i vitlindjes 1996 i lënduar nga mjeti i mprehtë,” thuhet në komunikatën e Policisë së Prizrenit.

Policia bën të ditur “se i lënduari kishte marrë plagë në regjionin e gjoksit përderisa kishte qenë në oborrin e Shkollës “Abdyl Frashëri”.

Ende nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur ky rast, por policia njofton se ka identifikuar të dyshuarin për këtë therje dhe është vënë në ndjekje të tij.

Një rast i ngjashëm sipas policisë dje ka ndodhur edhe në fshatin Bresanë të Dragashit në orën 19:10, kur është therur me brisk xhepi një person i vitlindjes 1987.

“Viktima është therur nga i dyshuari me një brisk xhepi me ç’ rast ka pësuar lëndime të rënda trupore për të cilat ka marrë ndihmën mjekësore në ambulancën  e fshatit e më pas është shtrirë në repartin e kirurgjisë në Spitalin Rajonal në Prizren,” thuhet në komunikatën e policisë.

Në rastin e therjes në Bresanë të Dragashit, i dyshuari është kapur dhe po mbahet nën masën e arrestit.