Drejtoria e Urbanizmit Diskuton Planin Rregullues me Banorët e Lagjes “Mati2”

Banorët e lagjes “Mati 2” patën mundësinë të diskutojnë dhe të japin propozimet e vërejtjet e tyre për projekt-propozimin e hartimit të planit rregullues në këtë lagje.

“Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Prishtinës,  së bashku me Ndërmarrjen Ndërtimore “Infra – Plus” nga Prishtina, organizuan  një takim me banorët e lagjes “Mati 2” për të diskutuar lidhur me projekt-propozimin e hartimit të planit rregullues “Mati 2”, njoftoi Komuna e Prishtinës.

Në këtë takim ishin të pranishëm një numër i madh i banorëve të kësaj lagjeje, të cilët u njohën me projekt-propozimin e hartimit të planit rregullues “Mati 2”, si dhe shprehën mendimet  për pronat në të cilat planifikohet që të ndërtohet infrastruktura e kësaj lagjeje.

Banorët shprehën shqetësimin lidhur me vijat e ndërtimit që parashihen me Planin Zhvillimor Urban (PZHU) për këtë lagje, si dhe procesin e shpronësimit për pronat ku parashihet të ndërtohet infrastruktura përcjellëse.