Besnik Hasani Vazhdon Dëshminë në Rastin Sekiraqa

Ish-polici Besnik Hasani është duke dëshmuar edhe sot në gjykimin e Enver Sekiraqës që akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

Hasani është duke u marrë në pyetje nga avokatët mbrojtës të Enver Sekiraqës.

Dëshmitari i sotëm dëshminë e tij në rastin ku Sekiraqa përpos për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, akuzohet edhe për detyrim dhe dhunim, e dha edhe më 25 dhe 28 maj.

Hasani në dëshminë e tij të mëhershme në këtë proces, e lavdëroi ish-kolegun e tij Triumf Riza, duke e cilësuar shumë të guximshëm.

Riza qe vrarë në vitin 2007, ndërsa në të njëjtin vit ndodhi edhe shpërthimi në lokalin e Enver Sekiraqës, gjatë të cilit shpërthim u vranë dy persona dhe shumë të tjerë u plagosën.

Në procesin gjyqësor për shpërthimin, Enver Sekiraqa është palë e dëmtuar, ndërsa Besnik Hasani më herët për këtë shpërthim është dënuar me 25 vjet burg.

Hasani dha dëshminë për dy ditë në gusht e shtator të vitit të kaluar në rastin e shpërthimit te “Sekiraqa”.

Atëherë kishte deklaruar se shpërthimi i vitit 2007 kishte ndodhur si hakmarrje ndaj Sekiraqës, ngase sipas Hasanit, grupi që kreu shpërthimin kishte informata se urdhri për vrasjen e ish-policit Riza dhe vrasësi i tij kishin dalë nga lokali në pronësi të Enver Sekiraqës.