Arrestohen 3 të Dyshuar për Vjedhje në Gjakovë

Tre persona janë arrestuar të martën nga Policia e Gjakovës si të dyshuar për ‘vjedhje’ dhe ‘vjedhje të rënda’.

“Të dyshuarit pas arrestimit janë shoqëruar për në stacion ku janë intervistuar. Gjatë punës, hetuesit kanë arritur të zbulojnë se të dyshuarit kanë kryer edhe vepra të tjera në vazhdimësi në qytetin e Gjakovës, në mënyrë grupore që nga muaji prill i këtij viti e deri në arrestimin e tyre”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Gjakovës.

Sipas policisë, të dyshuarit kanë pranuar të kenë kryer njëmbëdhjetë raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda gjatë kësaj periudhe kohore”.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe me urdhër të së cilit të dyshuarit I.V., B.B. dhe S.M. mbahen në ndalim policor.