Aleksandar Vuçiç: Media Kroate Ofendoi të Afërmit e mi të Vdekur

Kryeministri i Serbisë ditën e hënë akuzoi Jutarnji List se ka botuar një artikull të motivuar politikisht që “përqesh anëtarët e vrarë të familjes së Vuçiçit” duke pretenduar se ata nuk ishin vrarë nga njësitë ustashe fashiste kroate të Luftës së Dytë Botërore.

Jutarnji List botoi një artikull ditën e hënë i cili pretendonte se asnjë nga familja e Vuçiç nuk ishte vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pasi Vuçiç tha muajin e kaluar se “e gjithë familja e tij ishte vrarë nga ustashët”, gazeta dërgoi një gazetar në fshatin Cipuljic pranë Bugojnos, në Bosnjën qendrore, ku lindi babai i Vuçiçit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në bazë të intervistave të kryera atje, gazeta pohoi se kryeministri serb nuk po thoshte të vërtetën.

Por Vuçiç këmbënguli se gazeta, e cila ai pretendon se ishte “pranë qarqeve më të larta të qeverisë në Kroaci”, kishte mbledhur fakte të gabuara.

“Babai i babait tim, Andjelko, një nga serbët më të pasur në fshatin Cipuljic, u mor nga ustashët dhe pak më pas u vra. Babai im nuk e ka parë kurrë, sepse ai lindi pas vdekjes së tij,” tha Vuçiç në një deklaratë ditën e hënë.

“Ata e vranë atë, dhe për ne, si familje, emrat e kasapëve ustashë që ishin të përfshirë në këtë ngjarje janë të mirënjohur,” tha ai.

Ai tha gjithashtu se shumë të tjerë nga të afërmit e tij u vranë nga ustashët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe një anëtar i familjes u vra nga forcat kroate gjatë luftës së viteve 1990 në Bosnjë, ndërsa shtëpitë që i përkisnin familjes u shkatërruan.

Ai shtoi se pavarësisht kësaj, ai ka “shumë respekt për kroatët dhe të gjithë njerëzit e besimit katolik”.

“Serbët dhe kroatët kanë një të ardhme më të mirë dhe më ndryshe nga ajo që dëshirojnë disa politikanë dhe punonjës medie nga Kroacia,” tha ai.

Ai e mbylli deklaratën e tij duke e përshkruar veten si “birin e një refugjati të thjeshtë serbë, Aleksandër Vuçiç“.