12 Orë Aktivitete për Ditën e Fundit të Diasporës

Në vazhdën e aktiviteteve për ditët e diasporës, sot është lidhur një marrëveshje mes Ministrisë së Diasporës dhe Komunës së Prishtinës për bashkërendim të aktiviteteve në ditën e fundit të diasporës, e cila është më 2 gusht.

Ministri i Diasporës, Valon Murati tha se për këtë ditë ministria që ai drejton është kujdesur që të ketë një sërë aktivitetesh.

“Sot në vazhdën e bashkëpunimit që kemi me komunat e Kosovës e kemi lidh një marrëveshje memorandum bashkëpunimi me komunën e Prishtinës, në funksion të organizimit të ditës së fundit që e kemi në kuadër të muajit të diasporës”, tha Murati.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se do të mobilizohen të gjithë në mënyrë që të shënohet sa më mirë kjo ditë.

“Kemi bashkëpunuar shumë afër lidhur me fluksin e diasporës që e kemi gjatë muajve të verës dhe koordinimit sa më të mirë rreth shërbimeve të cilat i ofrojmë si komunë dhe sot kemi kënaqësinë që për këtë vit të kemi kulmin e bashkëpunimit në organizimin e përbashkët të ditës së fundit të muajit të diasporës, me ç’rast do të organizojmë aktivitete, koncerte në pishinën e Gërmisë”, u shpreh Ahmeti.

Ministri i diasporës i tregoi disa nga aktivitetet që do të mbahen në këtë ditë, që nga ora 12:00 dhe në ora 18:00 do të organizohen aktivitete argëtuese në Pishinën e Gërmisë, ku për këto aktivitete do të kujdeset Komuna e Prishtinës dhe pas orës 18:00 deri në ora 24:00 të natës do të organizohen koncert në sheshin “Zahir Pajaziti” me këngëtarë të ndryshëm.