Forumi i Shoqatës së Bankave të Kosovës | Foto: KALLXO.com

Përmbaruesit Ulin Kreditë e Këqija të Bankave

Aktivizimi i sistemit të përmbarimit në vend u lavdërua në forumin e hapur me temën “Sektori Bankar dhe Sistemi i Zbatimit të Kontratave në Kosovë” të organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Në forum, Petrit Balija, kryetar i kësaj shoqate tha se përmbarimi është një prej hapave më të rëndësishëm që i ka ndihmuar sistemit bankar në Kosovë.

Përmbaruesit e parë privatë në Kosovë dhanë betimin në janar të vitit 2014, ndërsa Ligji për Procedurën Përmbarimore hyri në fuqi më 1 janar 2013.

Fehmi Mehmeti, zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), tha se përmbaruesit privatë kanë ndihmuar që të ulen kreditë joperformuese.

“Nga aspekti i rregullatorit, mbikëqyrësit më proaktiv nga aspekti i bankave, cilësia është më e mirë e kredive të reja dhe e shoqëruar në përditësimin e modeleve të biznesit të disa bankave, si dhe aspekti i përmbarimit të kontratave dhe funksionalizimi i përmbaruesve privatë janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në uljen e kredive joperformuese,” tha Mehmeti.

Por Robert Wright, drejtor gjeneral i “Raiffeisen Bank” në Kosovë, tregoi se korporatat kanë mbi 200 milionë euro borxhe në bankat vendore.

Ai gjithashtu bëri të ditur se në botë Kosova renditet e 26-ta për lehtësinë e marrjes së kredive, por në kthimin e kredive është e 140-ta.

Zëvendësguvernatori Mehmeti pozitiv e cilësoi edhe faktin e rritjes së numrit të kredive dhe uljen e kostos së financimit të tyre.

“Ndër faktorët e rritjes së kredive pa dyshim që është edhe ulja e kostos së financimit të tyre. Duhet të theksojmë se një fushë ku është arritur progres i rëndësishëm është padyshim ajo e normave të interesit. Përderisa vetëm para dy viteve ato ishin në nivel dyshifror tashmë ato ja në vetëm në një nivel njëshifror dhe kjo është konkurrent me vendet tjera,” tregoi Mehmeti.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeule, tha se zbatimi i kontratave përmbaruese ndikon në zhvillimin e vendit.

“Jemi shumë të interesuar për zbatimin e kontratave, sepse kjo ndihmon rritjen e zhvillimit ekonomik dhe kjo faktikisht shihet si rritje, pasi që ajo ndikon edhe në zhvillimin e Kosovës. Joperformanca e këtyre kredive zvogëlon edhe financat apo investimet direkte të jashtme dhe moszhvillimi i këtyre kontratave parandalon edhe firmat për t’u zhvilluar më tutje,” tha Vermeulen.

Por, sipas Vermeulen-it mungesa e të dhënave, ekzistimi i neneve konfliktuoze që po mundësojnë shmangien e pagesave dhe mungesa e mjeteve për përmbaruesit privatë janë disa nga hendeqet që po pengojnë zhvillimin e mëtutjeshëm.

Nga një raport i fundit i BQK-së, del se në kuadër të sektorit bankar, kreditë vazhdojnë të jenë kategoria kryesore në sistemin financiar me një pjesëmarrje prej 60 për qind në gjithsej mjetet e sektorit.

http://kallxo.com/sektori-bankar-fitim-vetem-nga-kredite

Gjatë vitit 2015, ekspozimi i bankave të Kosovës ndaj rrezikut kreditor ka treguar tendencë rënëse, ku raporti i kredive joperformuese (NPL) ndaj gjithsej kredive ka zbritur në 6.2 për qind në vitin 2015 nga 8.3 për qind në vitin 2014.

Aktualisht në Kosovë operojnë 10 banka komerciale nga të cilat 8 kanë pronësi të huaj, ndërsa 2 vendore. Ato i kanë gjithsej 265 degë në të gjithë vendin. Të punësuar në këto banka janë 3,375 punëtorë.