“Drenica 1” në Apel

Seanca që pritej të niste në orën 10:00 u shty për një orë, pasi u vonuan përkthyesit.

Në fillim të seancës kryetari i kolegjit të përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendas, deklaroi se ky kolegj nuk ndihet i kërcënuar në lidhje me rastin që po e shqyrton.

Pastaj avokatët Gani Rexha e Mahmut Halimi që mbrojnë Avni Zabelin e Ismet Haxhën kërkuan që klientët e tyre të mos e kenë statusin e të pandehurve, pasi prokurori nuk është ankuar për lirimin e tyre vitin e kaluar.

Gjykata pastaj vendosi që Avni Zabeli e Ismet Haxha të jenë në sallë vetëm në cilësinë e publikut.

Prokurori në ankesën e tij ndaj vendimit të vitit të kaluar të Gjykatës Themelore të Prishtinës për Grupin “Drenica” kërkoi ngritje dënimesh për Sami Lushtakun e Sylejman Selimin dhe anulim të vendimit për lirimin e Sabit Gecit, Jahir Demakut dhe Sahit Jasharit.

Arianit Koci, avokati i Sami Lushtakut kërkoi të kundërtën-lirimin e klientit të tij, ose kthimin e rastit në rigjykim.

Koci këtë kërkesë e arsyetoi me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, pasi sipas tij nuk është gjetur asnjë kufomë.

Lushtaku u dënua për vrasje të një civili të panjohur shqiptar në shtator të vitit 1998 mes fshatrave Galicë e Dubovc.

Edhe avokati i Sylejman Selimit kërkoi nga Gjykata e Apelit që ta hedhë poshtë dënimin e klientit të tij për shkelje të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.

Prokurori në fjalën e tij tha se u mbetet besnik ankesave të tij dhe përgjigjeve në ankesat e avokatëve.

Mexhid Syla, avokati i Jahir Demakut, për të cilin prokurori ka kërkuar që të shpallet fajtor, tha se e ka paraqitur në gjykatë kundërshtimin ndaj ankesës së prokurorit.

“Unë kundërshtimin tim e kam paraqitur kundër ankesës së prokurorit të Prokurorisë Speciale dhe kam propozuar që kjo ankesë si e tillë të refuzohet,” tha Syla.

“Shkalla e parë me të drejtë ka marrë aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit tim Jahir Demaku,” tha Syla.

Avokati Syla kontestoi bazën e ankesës së prokurorit duke thënë se prokurori po kërkon fajësi për klientin e tij me një person të paidentifikuar nga Shipoli si të dëmtuar.

Seanca e shqyrtimit të rastit “Drenica 1” në Apel do të vazhdojë edhe nesër.

Më 27 maj 2015 dy të akuzuarit kryesorë të këtij grupi-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi u dënuan nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Sami Lushtakut atë ditë iu shqiptua dënimi prej 12 vjetësh burg për vrasje të rëndë të kryer në vitin 1998, ndërsa Sylejman Selimi u dënua me 6 vjet burg për keqtrajtim të civilëve gjatë kohës së luftës.

Pesë të akuzuarit tjerë të këtij grupi- Sabit Geci, Jahir Demaku, Avni Zabeli, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari u liruan.

http://kallxo.com/denohen-sami-lushtaku-e-sylejman-selimi/

Avokatët mbrojtës të Lushtakut dhe Selimit u ankua në Gjykatën e Apelit ndaj dënimit të klientëve të tyre, ndërsa prokuroria u ankua për lirimin e pesë të akuzuarve të tjerë.

drenica gj Drenica1 grupi sylejmna selimi