PE heq nga rendi i ditës raportin për liberalizimin e vizave për kosovarët
Artan Muratit nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka njoftuar se kriteri i fundit për liberalizimin e vizave i cili kishte për tu vënë në votim në datën 10 korrik të këtij viti nga Komisioni për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian është hequr nga rendi i ditës, pasi që nuk ka ardhur ende njoftimi nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
“Komisioni Evropian është vonuar me raportin vlerësues lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave për Kosovën, sepse ky raport ka qenë i paraparë të publikohet në fund të muajit qershor. Në pritje të njoftimit nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kriterit të fundit në procesin e liberalizimit të vizave, Komisioni për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian e kishte vënë në rend të ditës votimin për këtë raport për datën 10 korrik. Mirëpo, LIBE tanimë ka hequr këtë pikë nga rendi i ditës, pasi nuk ka ardhur ende njoftimi nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, ka shkruar Murati në Facebook.
Murati po ashtu ka thënë se tani Kosova gjendet në një situatë që edhe nëse marrim një raport pozitiv nga Komisioni Evropian, megjithatë nuk është e sigurt se vizat mund të hiqen këtë vit, për shkak të procedurave vendimmarrëse në BE. Ndërkohë liderët e shtetit po shprehen optimistë se Kosova do të marrë rekomandimin pozitiv për vizat dhe vizat do të hiqen deri në fund të këtij viti.