Foto: Facebook/ Artan Murati

Këshilltari i Vjosa Osmanit i reagon Gjykatës Kushtetuese pas refuzimit të një kërkese të presidentes

Këshilltari i Vjosa Osmanit, Artan Murati, ka thënë se Gjykata Kushtetuese është dashur ta marrë parasysh interesin publik, në lidhje me kërkesën e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Kushtetueses, për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kushtetuesja ditën e sotme ka njoftuar se ka refuzuar kërkesën e presidentes.

Ndërsa Murati ka përmendur një nen të Kushtetutës, sipas të cilit, edhe ish presidentja Atifete Jahjaga, e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, rastin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“E dini të gjithë vlerën publike të interpretimit të Gjykatës për atë rast. Imagjinoni si do të mund të rrjedhnin gjërat sikur gjykata të refuzonte të jepte interpretimin për Asociacionin, pra sikur ta përdorte praktikën që po përdoret së fundmi, ku refuzohen të gjitha çështjet e ngritura nga kreu i shtetit bazuar në dispozitën e lartcekur”, ka shkruar Murati në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, është e domosdoshme të parandalohen paqartësitë kushetuese, duke ofruar zgjidhje për problemet e shfaqura. Murati ka thënë se në këtë mënyrë do të garantohej parimi i sigurisë juridike.

“Ajo çfarë të paktën sqarohet nga ky Aktvendim, është se Gjykata trajton vetëm kërkesat për kompetenca të cilat burojnë nga Kushtetuta e jo edhe ato të bazuara në ligj. Pra që emërimet e shkarkimet e parapara vetëm në ligj, e jo në Kushtetutë, nuk janë çështje që trajtohen nga gjykata. Në pritje të publikimit të Aktvendimit të plotë, për ta analizuar në tërësi”, ka shkruar tutje ai.

Ndërsa, deklaratat se kërkesa e presidentes për interpretim është shërbim ndaj partive të caktuara, Murati i ka cilësuar si absurde dhe të pabazuara.

“Për më tepër, kjo po tregon degradimin e skajshëm të gjuhës krejt pa argument, edhe pse Presidentja ka vepruar me ndërgjegje të lartë institucionale kur i është adresuar Gjykatës para se të ndërmarrë veprime”, ka shkruar në fund këshilltari i presidentes Osmani.

Sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë kërkesën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila kishte kërkuar interpretim për ndarjen e vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për grupet më të mëdha parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e Osmanit për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së