Foto: Facebook/ Artan Murati

Këshilltari i presidentes: Subjektet politike janë ftuar në takim konsultativ

Këshilltari i Vjosa Osmanit, Artan Murati, ka bërë të ditur se subjektet politike janë ftuar nga presidentja Vjosa Osmani në një takim konsultativ për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, për shkak të situatës me pandeminë.

“Kush lexon drejt, e kupton që subjektet politike janë ftuar në takim konsultativ, për të diskutuar për opinionin dhe rekomandimin e IKSHPK lidhur me procesin zgjedhor. Pra, për të diskutuar”, ka thënë Murati.

Takimi i presidentes me subjektet politike pritet të mbahet të hënën.

Sot IKShKP-ja i  ka rekomanduar presidentes që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen.

Në letër potencohet se për shkak të gjendjes me pandeminë dhe rastet e vdekjeve, por edhe nga vlerësimi i profesionistëve shëndetësorë, IKShPK janë të mendimit që mbajtja e procesit zgjedhor që ngërthen tubime, paraqet rrezik për qytetarët.

“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga ShSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profesioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKShPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet”, potencohet në letër.

Në letrën drejtuar presidentes Osmani theksohet se procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19.

“Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën IKShPK-së.

Nga Vetëvendosje për KALLXO.com kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth shtyrjes së datës së zgjedhjeve.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka quajtur IKShKP-në instrument të pushtetit.