Këshilltari i Vjosa Osmanit demanton Lajçakun: Rendi kushtetues është i paprekshëm

Këshilltari i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, Artan Murati, ka thënë se komentet rreth ndryshimeve kushtetuese nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, janë shqetësuese por edhe të pasakta.

Ai ka thënë se kryetarja e Kuvendit të Kosovës në takimin me Lajçak ka thënë se marrëveshjet që lidhen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë në përputhje me ligjet e vendit.

“Komentet e fundit të Miroslav Lajcak në Serbi janë shqetësuese dhe jo të sakta.  Askush në Parlamentin e Kosovës nuk ka përmendur dhe as nuk ka pranuar të prekë Kushtetutën. Përkundrazi, Vjosa Osmani ishte e qartë: rendi ynë kushtetues është i paprekshëm dhe të gjitha marrëveshjet duhet të përputhen”, ka shkruar Murati në Twitter.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë do të jetë e nevojshme që të ndryshohej edhe Kushtetuta.

Këto komente, Lajçak i ka bërë nga Beogradi pas takimit që ka mbajtur të enjten në mbrëmje me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se gjatë 25 takimeve në Prishtinë, asnjë nga bashkëbiseduesit e tij nuk e kishte mohuar themelimin e Asociacionit si obligim i dalë nga marrëveshjet me Serbinë të nënshkruara nën ndërmjetësimin e BE-së më 2013 dhe 2015.

Lajçak kërkon ndryshime në Kushtetutë për Asociacionin

Ndaj deklarimeve të Lajçak për ndryshime kushtetuese, rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sot reagoi edhe ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri.

Edita Tahiri- Lajçakut: Serbia të ndryshojë Kushtetutën e saj duke hequr Kosovën nga ajo