Kështu u përpoqën të hënën banorët të pengonin zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës – Foto: Policia

PDK e VV Debat për Banesat në “Dardani”

Xhevahire Izmaku në emër të PDK-së kërkoi që të arrihet marrëveshje mes komunës dhe banorëve të dëbuar nga banesat në “Dardani”.

Pas një vendimi të gjykatës banorët e një objekti në “Dardani” u dëbuan para tri ditësh nga banesat ku jetonin që nga viti 1999.

Në kuvend në kohën e ngritjes së çështjeve të ndryshme jashtë rendit të ditës për këtë largim nga banesat foli në emër të grupit parlamentar të PDK-së deputetja Xhevahire Izmaku.

“Me papërgjegjësi të plotë Komuna e Prishtinës i nxori në rrugë këta banorë,” tha mes tjerash Izmaku, duke shtuar se pse u prit kjo kohë për largim nga këto banesa, kur vendimi i gjykatës ekziston që nga vitet 2008-2009, ndërsa sipas Izmakut tash “Kemi hyrë në kohë të ftohtë dhe jemi në prag të dimrit”.

Izmaku më tutje në emër të PDK-së tha se fëmijët e familjeve të larguara nga banesat mund të humbin edhe ditë mësimi.

Ajo i rekomandoi Komunës së Prishtinës që të zgjidhë problemet në oborrin e vet, që të arrijë marrëveshje me të dëbuarit nga banesat dhe të shqyrtohet gjendja sociale e të dëbuarve.

Reagimit të Izmakut në emër të PDK-së, iu përgjigj deputetja e “Vetëvendosjes” Aida Dërguti.

Dërguti tha se Komuna e Prishtinës nuk i ka dëbuar këto familje, por dëbimi është bërë me urdhër të gjykatës.

Objekti banesor sipas Dërgutit i takonte Ndërmarrjes Publike Banesore që kishte kërkuar lirimin e tij, ndërsa gjykata i kishte dhënë të drejtë në të gjitha shkallët e shqyrtimit gjyqësor.

Dërguti tregoi se gjykata ka vendosur tash ta zbatojë vendimin e vitit 2012.

Ajo bëri të ditur se Komuna e Prishtinës do të kujdeset për rastet sociale nga këta të dëbuar.