Liqeni i Liqenatit - Foto: Balkan Natural Adventure

Pas Ratifikimit të Demarkacionit, 'në Mal të Zi Mund të Kalohet Not'

Balkan Natural Adventure, tur operator nga Peja, ka lansuar produktin e ri turistik që përfshin kalimin e kufirit me Malin e Zi duke notuar, një aktivitet që sipas tij mund të bëhet pas ratifikimit të vijës kufitare në Kuvendin e Kosovës.

Produkti turistik që quhej Vizitë në Liqenat është ribrenduar me fjalët “Shko në Mal të Zi me not”, dhe tashmë është në web faqen e kompanisë, e cila ofron kryesisht udhëtime për turistë ndërkombëtarë në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri

Liqeni glacial që tashmë shënon kufirin zyrtarë gjendet në naltësi mbidetare 1800 metra ka një gjatësi prej 200 metrave, gjërësi prej 100 metrave, dhe ka shënuar nje pikë turistike për vizitorët e Grykës së Rugovës.

Balkan Natural Advaneture operon në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri dhe ofron ecje malore ndërkufitare.

Ecja më e njohur është Peaks of the Balkans, që është krijuar nga një projekt i Agjencisë Gjermane Zhvillimore dhe kalon në të tri shtetet. Kompania rregullon edhe lejet kufitare për të tri vendet.

“Si kompani kemi qëndrim neutral ndaj vijës kufitare. Kjo nuk reflekton ndjenjat e stafit dhe bashkëpuntorëve, mirëpo për kompaninë është e rëndësishme që të dihen procedurat dhe kufiri që në mënyrë që të mos komplikohet puna e organizimit të ecjeve bjeshkatare dhe shërbimit për klientë”, ka thënë Virtyt Gacaferri CEO i kompanisë.

“Ecja në Liqenat ka qenë një produkt që e kemi ofruar me kompaninë. Ne nuk besojmë se policia do të dalë të liqeni mirëpo aty është vija kufitare. Ne deri tash kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me policinë nga të tri shtetet”, ka shtuar ai.