Paraburgim të kërkuarit nga Austria që dyshohet për narkotikë

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej dyzet ditëve të pandehurit S. R. i kërkuar nga shteti i Austrisë.

Në një njoftim të Gjykatës Themelore të Gjilanit, bëhet e ditur se kjo masë ndaj të pandehurit është caktuar pasi ai dyshohet për një vepër penale të ndërlidhur me narkotikë.

“I pandehuri është kërkuar në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga shteti i Austrisë – kërkesë e Interpolit, për shkak të veprës penale e cila është e sanksionuar sipas akteve ligjore mbi drogat dhe narkotikët të shtetit austriak, apo veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake, vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S. R., pasi që për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë dhe po që se i njëjti gjendet në liri, mund të arratiset për të i ikur përgjegjësisë.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit.