Sipas raportit të ASK dhe UNFPA, Kosova do të ketë rënie të numrit të banorëve – Foto: Rtv21

Papunësia në Kosovë shënon rritje

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2018.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.

Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.4 për qind.

Në anketën e ASK-së thuhet se punësimi për tremujorin  e dytë është 28.5 për qind.

Punësimi më i theksuar është te meshkujt e më pak te femrat.

“Punësimi me i lartë është te meshkujt (44.8%), ndërsa punësimi te femrat është 12.0%. Femrat janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 52.8 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 41.5%”, thekson raporti.

Në tremujorin e dytë më së shumti njerëz janë punësuar në sektorin tregtisë dhe arsimit.

“Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8%; arsimi me 11.7%, ndërtimtaria me 11.6%; si dhe prodhimi me 9.5%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim”, thekson raporti.

Në njoftimin e ASK-së thuhet se sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 20.4% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 79.6% kanë kontratë të përkohshme.

Në komunikatën e ASK thuhet se shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë të këtij viti është 29.4%.

Sipas ASK-së, papunësia më e theksuar është te femrat me 30.6 për qind, krahasuar me meshkujt, 29.1 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55 për qind.

Sipas rezultateve të anketës për këta tre muaj, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 59.6 % për qind me fokus të veçantë te femrat me 82.6 për qind, krahasuar me meshkujt, 36.9 për qind.

Kallxo.com në të dhënat e ASK-së gjen se në tre muajt prill, maj e qershor, numri i personave të moshës 15 deri 64 vjeç që ishin të papunë ishte 142 mijë e 550, duke shënuar një rritje rreth 2.9 për qind në krahasim me tremujorin paraprak, ku numëronte gjithsej 123 mijë e 464 me një diferencë prej 19 mijë persona.

Në këtë tremujor vërehet një rënie edhe në punësim për rreth 0.3 për qind, që në numra i bie rreth 758 persona.