Pak orë deri në koncertin e Filarmonisë së Kosovës

Perla muzikore botërore “Simfonia nr.9” e kompozitorit gjerman Ludvig Van Beethoven do të interpretohet sonte duke filluar nga ora 20:00 në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

Kjo vepër do të interpretohet nga kori dhe orkestra e Filarmonisë së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve 20/20 të Komunës së Prishtinës, për nder të 20 vjetorit të çlirimit.

Gjatë një konference të mbajtur sot  nga zyrtarë të Filarmonisë dhe Komunës së Prishtinës, si organizatorë, në vigjilje të koncertit është thënë se pjesë e koncerti do të jenë edhe artistë nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe dirigjenti  Toshio Yanagisawa, aktualisht drejtor artistik i Orkestrës Kamerale Ballkanike dhe dirigjent permanent i Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës,

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari është shprehur me këtë rast se ka vite që është  menduar që veprën madhështorë të Beethoven ‘Simfoninë nr. 9’ ta realizojë në një rast sikurse 20-vjetori i çlirimit, një vepër siç ka thënë ai, e cila sjell mesazhin e paqes mes popujve dhe vlerësohet si një nga veprat më të mira të kompozitorit gjerman.