Kandidatët e përzgjedhur për Programin ‘Media Fellowship’ të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë - Foto: OSBE

OSBE Nis Programin ‘Media Fellowship’ për Gazetarë të Rinj

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur programin ‘Media Fellowship,’ një nismë vjetore që ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve të rinj dhe themelimin e një rrjeti gazetarësh të komuniteteve të ndryshme.

Më 2017, programi do të përfshijë tetë gazetare të reja dhe gazetarë të rinj nga komunitete joshumicë, të cilët do të punojnë në çift me gazetarë të njohur, që do shërbejnë si mentor të tyre, njofton Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Gjatë programit të sivjetmë, i cili fillon në maj e përfundon në nëntor, gazetarët e rinj dhe mentorët e tyre do të kenë mundësinë të trajtojnë tema të rëndësishme duke shkëmbyer praktikat më të mira dhe njohuritë e tyre.

Në qershor, ata do të marrin pjesë në një seminar njëjavor në Prishtinë dhe Beograd, ku do të takohen me mediat lokale, institucionet e mediave, profesionistë të respektuar të mediave dhe politikbërës.

Pjesëmarrësit e rinj po ashtu do të kenë mundësinë të shohin nga afër si funksionojnë institucionet e mediave, siç janë Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë, Radio Televizioni i Serbisë, asociacionet e gazetarëve në Kosovë, Komisioni i Pavarur i Mediave, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Radio Televizioni i Kosovës.

Në nëntor 2017 do të mbahet një konferencë përmbyllëse për t’i përfshirë gazetarët e rinj në Grupin Alumni të programit ‘Media Fellowship”, për të inkurajuar bashkëpunimin në të ardhmen.

Gjatë konferencës, gazetarët e rinj do të hartojnë një plan veprimi dhe strukturë të projekteve të tyre të ardhshme.