ORCA viziton Fakultetin e Mjekësisë - Foto: ORCA

ORCA lavdëron Fakultetin e Mjekësisë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, sot ka vizituar Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e ka lavdëruar për punën që ky institucion po bën për ‘ndërtimin’ e punëtorëve të rinj shëndetësorë.

Së bashku me prodekanen, Gloria Staka dhe prodekanin, Ibrahim Rudhani, anëtarë të ORCA-s kanë vizituar disa nga institutet e Qendrës Klinike Universitare.

Drejtori i Qendrës së Telemjekësisë, Ismet Leci, ka treguar për punën që kjo Qendër e bën në shërbim të hulumtimeve të stafit mjekësor gjithashtu edhe shfrytëzimin e saj nga studentët e këtij Fakulteti.

Gjithashtu ORCA ka vizituar edhe objektin e rektoratit të ri, Institutin e Patologjisë, Anatomisë, Infermierinë dhe Fizioterapinë dhe ka parë nga afër kushtet që studentët i kanë për ngritje në nivel studimesh.

“Fakti që Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës arrin të “eksportojë” mjekë në Gjermani tregon se Universiteti i Prishtinës ka potencial për t’u zhvilluar në hap me botën perëndimore”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Përfaqësues të ORCA-s nga prodekanët Staka dhe Rudhani janë njoftuar për punën që zhvillon stafi akademik i këtij Fakulteti me studentët.

Përkushtimi i madh i menaxhmenteve të Fakultetit, në veçanti i menaxhmentit aktual ka bërë që një numër i madh i ushtrimeve me studentët të zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare, natyrisht duke u përballur me sfidat që prodhojnë rrethanat e Kosovës.

Gjatë takimeve është thënë se Fakulteti i Mjekësisë qëndron si një nga 3 fakultetet e UP-së me më së shumti punime shkencore për profesor, duke mbërritur në 6.07 punime për profesor në vitin 2018, ndërkohë që mesatarja në nivel universiteti është 3.7 punime për profesor.