Edi Rama - Foto: Facebook/Edi Rama

Opozita në protestë, Rama fushatë në Lezhë

Teksa opozita jashtëparlamentare pritet të nisë në 19:00 protestën e shtatë, ku kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, si dhe mos zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, kreu i PS-së ka nisur fushatën në Lezhë, ku kandidon Pjerin Ndreu.

Por gara pa kundërshtarë, duket se nuk përbën problem për kryeministrin Rama, i cili nga Lezha theksoi se janë në garë me veten.

“Duket si një betejë pa një kundërshtar, por është betejë mes të shkuarës dhe të ardhmes. Është një betejë për të shkuar përpara me ata që duan të na kthejnë mbrapshte, mes nesh që duam një vend demokratik mes nesh dhe atyre që duan pushtet për veten”, u shpreh ai.

Mospjesëmarrjen në zgjedhje të opozitës, Rama e sheh si frikë nga vota e popullit.

“Ata kanë frikë nga zgjedhjet, kanë frikë të vijnë përpara popullit, nga ballafaqimi me ne ndaj dhe përbetohen rrugëve se do na imponojnë një përplasje antidemokratike të dënueshme nga ligjet e këtij vendi. Ata që vendosën të ikin nga zgjedhjet nuk kanë në dorë asgjë tjetër veç ikjes në drejtim të paditur. Drejtimi ynë dhe i vendit dihen”, tha Rama./21Media