Nxënësit Gjilanas për Aftësim Profesional në Gjermani

Së paku 15 nxënës të shkollës së mesme “Mehmet Isai” të Gjilanit tani kanë një mundësi më të mirë për t’u aftësuar dhe për t’u përgatitur për tregun e punës në Kosovë.

Gjatë një vizite në Gjermani, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me kompanitë “Wurm” dhe “Bav-Kos” për dërgimin e 15 nxënësve të shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai” në shkollim profesional prej 42 muajsh.

Meritë të madhe për t’u arritur kjo marrëveshje ka pasur Erdoan Idrizi, një qytetar nga Gjilani i cili në Gjermani ka arritur sukses në fushën e ndërtimit të sistemeve alternative ripërtëritëse të kaldajave për prodhim të energjisë dhe ngrohjes.

Vlen të theksohet se ky projekt një pjesë të prodhimit e finalizon në Gjilan dhe se është projekti më i madh ekologjik, i cili prodhon energji nga biomasa, si mbeturinat e pyjeve, ashklat e drurit, peletit dhe lëndëve të tjera.

Komuna e Gjilanit njofton se gjatë takimit është prezantuar edhe projekti më i ri, i cili bën trajtimin e llumit të ujërave të zeza, duke prodhuar, po ashtu, energji alternative dhe ngrohje dhe duke iu përmbajtur të gjitha standardeve për mosemetimin e gazrave në ambient.