Gjykimi i ish-sportelistit të Postës - Foto: KALLXO.com

Nuk Vjen në Gjykatë i Akuzuari për Përvetësim të 1,511 Eurove të Postës

Muhedin Bikliqi, i akuzuari për veprën penale të përvetësimit në detyrë, nuk është paraqitur në sallën e Gjykatës së Prishtinës, ku pritej të mbahej seanca fillestare.

Kryetarja e trupit gjykues, Suzana Qerkini, bëri të ditur se do të urdhërohet sjellja e të akuzuarit me Polici në Gjykatë.

“I pandehuri Muhedin Bikliqi nuk është i pranishëm edhe pse i njëjti ftesën e ka pranuar në mënyrë të rregullt dhe atë fiks qe një muaj”, tha gjykatësja Qerkini.

Ndryshe, të gjithë të tjerët ishin presentë në sallë të Gjykatës, përfshirë këtu edhe përfaqësuesen e palës së dëmtuar, Postës së Kosovës, Hikmete Sfarqa.

Sipas aktakuzës, Bikliqi në vazhdimësi në datat 28, 29, 30 dhe 31 janar të vitit 2013, në zyrën postare në Janjevë, me qëllim të përvetëismit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka përvetësuar pasurinë- paratë pronë e të dëmtuarës Posta e Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti ka përvetësuar këto para sa ishte duke punuar si sportelist në sportelin e kësaj zyre, ku të gjitha të hyrat e fituara nga shërbimet dhe shitjet në datat e lartcekura nuk i ka dorëzuar në bankë, por shumën e të hollave në vlerë prej 1,511.95 i ka përvetësuar për vete, duke i përdorur për nevoja personale.