Pamje nga votimet për kryetar të Komunës së Drenasit - Foto: KALLXO.com

Nisin Votimet për Kryetarin e Drenasit

Rreth 53 mijë votues do të dalin sot sërish para kutive të votimit, për herë të dytë brenda dy javëve, për ta zgjedhur kryetarin e komunës së Drenasit.

Në listën e votuesve të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve figurojnë 52,569 votues, numër që shënon një rritje prej 2,338 votuesve për dallim nga zgjedhjet e fundit në këtë komunë të mbajtura në vitin 2013.

Për këto zgjedhje do të hapen 28 qendra votimi në këtë komunë, katër më shumë se në zgjedhjet e vitit 2013.

Për zgjedhjet e sotme janë akredituar rreth 1 mijë vëzhgues të cilët vijnë nga ambasadat, organizatat ndërkombëtare, OJQ-të vendore, subjektet politike dhe mediat.

Në garë për të marrë besimin e votuesve të Drenasit janë Ramiz Lladrovci (PDK) dhe Isa Xhemajlaj (NISMA) të cilët dolën më të votuarit në raundin e parë të mbajtur më 4 dhjetor, por pa mundur asnjëri që ta marrin shumicën e votave.

Kandidatët e eliminuar në garën e parë janë Bedri Nika (LDK), Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Berisha (Fjala) dhe kandidati i pavarur Xhavit Drenori.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.

Mandati i kryetarit të zgjedhur zgjat deri në fund të vitit të ardhshëm.