Nisi edicioni i 20-të i karvanit të shkrimtarëve për fëmijë ‘Agim Deva’

Karvani i shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” ka nisur sot rrugëtimin e tij të 20-të.

Ceremonia zyrtare e nisjes së rrugëtimit të 20-të të karvanit  është mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pikërisht në Ditën e Mësuesit, duke veçuar rëndësinë që ka edukimi dhe arsimimi i fëmijëve.

Koordinatori i karvanit, Xhevat Syla, ka thënë me këtë rast se edhe në këtë edicion karvani do të jetë pranë fëmijëve duke u kujdesur që ata të jenë sa më afër librit.

“Do të shkojmë në zona sa më të thella e në vende ku nuk kemi qenë deri tash”, ka thënë ai në ceremoninë ku janë recituar poezi të Agim Devës nga fëmijët e shkollave fillore të Prishtinës.

Sipas organizatorëve të këtij karvani për fëmijë edhe gjatë këtij viti grupi i shkrimtarëve do të jetë afër fëmijëve në ambiente të ndryshme, me aktivitete të shumta, si orë letrare, dhurime librash, etj.

I themeluar 20 vjet më parë me iniciativën e një grupi të shkrimtarëve për fëmijë në krye me shkrimtarin Agim Deva, karvani si qëllim të tij ka rrugëtimin në ambiente të ndryshme, jo vetëm brenda Kosovës, sidomos nëpër shkollë, me qëllim që fëmijët të njihen me shkrimtarët e tyre, të dëgjojnë nga ta krijimet e tyre, njëkohësisht edhe zbulimin e talenteve të rinj.