Nis Karvani i shkrimtarëve për fëmijë, ‘Agim Deva’

Edicioni i 21-të i Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë, “Agim Deva” nis sot nga Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sulejmani”.

Rrugëtimin e 21-të, Karvani do ta fillojë me aktivitete kushtuar shkrimtarit, tashmë të ndjerë, Arif Demolli.

Koordinator i Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë,  Xhevat Syla ka thënë për Kallxo.com se edicioni i sivjetëm i Karvanit aktivitetet e tij i nis sot, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” me promovimin e veprës për Arif Demollin.

“Aktivitete nisin me përkujtimin e tre vjetorit të ndarejs nga jeta të shkrimtarit dhe anëtarit tonë të rregullt të Karvanit, Arif Demollit dhe me përurimin e me shkrime për veprimtarinë letrare të Demollit”.

Aktivitetet e Karvanit lidhen me Ditën e mësuesit, dhe sipas Sylës maratona e vërtetë e këtij aktiviteti nis nga data 9 mars nga shkolla fillore në Çyshk të Pejës.

Syla ka thënë se gjatë këtij Karvani janë planifikuar një sërë aktivitetesh me fëmijë, si takime letrare nëpër shkolla me nxënës, përurime librash, dhurata librash për biblioteka të shkollave nëpër qytete e fshatra të ndryshme.

Aktivitetet e Karvanit do të zgjasin me një intensitet të shtuar deri në fund të vitit shkollor, në muajin qershor. Me gjithëse sipas Sylës, Karvani do të jetë i gatshëm për aktivitete deri në fund të këtij viti.

“Misioni i Karvanit është nxitja e dashurisë për librin tek fëmijë dhe inkurajimi i talenteve të reja për t`ju përkushtuar krijimtarisë letrare”, ka thënë Syla.

Ndërsa çmimet e edicionit të 21-të të Karvanit të Shkrimtarëve për fëmijë, “Agim Deva”, Çmimi “Ymer Elshani” dhe Çmimi për librin më të mirë të botuar në mes dy karvanëve do të ndahen në qershor 2020.