Shkrimtari Xhevat Syla: Fëmijët tanë lexojnë libra në gjuhë të huaj

Libri për fëmijë në gjuhën shqipe vazhdon të lexohet nga të vegjlit. Ndërsa, numri i krijuesve të letërsisë shqipe për të vegjlit nuk është edhe aq i madh.

Shkrimtari për fëmijë Xhevat Syla, aktualisht koordinator i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se 2 prilli librin shqip për fëmijë e gjen në duart e atyre për të cilët shkruhet.

Syla ka thënë së në këtë kohë karantine fëmijët duhet t’i kushtojnë më shumë  kohë leximit dhe të lexojnë atë çfarë duan ata, qoftë autorë nga letërsia shqipe apo të huaj.

“Çfarë të lexojnë? Natyrisht libra që atyre do t’ju pëlqejnë, qoftë nga letërsia shqiptare, qoftë nga letërsia e autorëve të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe. Është një fatmirësi që një numër gjithnjë e më i madhe i tyre letërsinë e huaj e lexojnë në gjuhën në të cilën ajo është shkruar dhe kjo është një vlerë e re tek fëmijët tanë”, ka thënë Syla, për Kallxo.com.

Bile, sipas tij interesimi i fëmijëve për libra të autorëve të huaj është më i madh se tyre shqiptarë.

 Shkrimtari Syla ka thënë më tej se Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë e gjen letërsinë shqipe në një gjendje të kënaqshme. Sipas tij,  letërsia shqipe për fëmijë vazhdon të kultivohet me sukses në të gjitha zhanret për fëmijë.

“Krijuesit tanë për fëmijë nuk janë të shumtë në numër, por janë vërtetë cilësor. Janë disa autorë të cilët janë shpresë e veçantë, të cilët shpresojmë që jo vetëm ta mbajnë, por edhe ta avancojnë më tej letërsinë shqipe për fëmijë, në kuptimin e cilësisë dhe nevojave të fëmijëve sot”, ka thënë Syla.