Ngjarjet e ditës së enjte, 26.07.2018

Vazhdon seanca plenare e Kuvendit të Kosovës me pikat e papërfunduara nga seancat e mbajtura më 19 qershor dhe 23 korrik. Më pas debatohet për dialogun me Serbinë. (Kuvendi i Kosovës – 10:00)

Në kuadër të ceremonisë përkujtimore për përvjetorin e shtatë të rënies së heroit Enver Zymeri, do të bëhet vendosja e kurorave me lule te lapidari i tij. Merr pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj. (Kompleksi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Prishtinë – 10:00)

Mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së Kolegjit Universum me kompaninë “Vision Agency”. Kjo marrëveshje ka për qëllim ndërlidhjen e studimeve me industrinë e punës me ç’rast do të financohen studimet e 20 studentëve, të cilët më pas do të punësohen në “Vision Agency”. (Kolegji Universum në Ulpianë, Prishtinë – 10:00)

Mbahet seanca e tetë e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, Gjilan – 10:00)

Kryeministri Ramush Haradinaj, merr pjesë në hapjen e panairit të prodhimeve vendore ushqimore. (Marketi “Plus Center”, Ferizaj – 11:00)

Në kuadër të përkujtimeve për 7-vjetorin e vrasjes së Enver Zymeri, Policia e Kosovës bën homazhe te varrezat e fshatit Dubovc. Më pas përfaqësues të PK-së do të vizitojnë familjen Zymeri. (Dubovc, Vushtrri – 11:00 – 11:30)

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, viziton Klubin e Prodhuesve të Kosovës. Qëllimi i vizitës, mes tjerash, është promovimi i programit për financimin e NVM-ve. (Lokalet e Klubit të Prodhuesve, Lagja Pejton, Prishtinë 11:00)

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) prononcohet për medie në lidhje me ndërmarrjen “Famipa”. (Selia e AKP-së, Prishtinë – 11:00)

Nisin punimet për rregullimin e shtratit të Lumit “Krena”, projekt i financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunën e Gjakovës. Në ceremoni merr pjesë dhe ministrja Albena Reshitaj. (Rruga “Yllka Domi”, Gjakovë-11:00)

Komuna e Deçanit organizon “Ditën e Qethjeve të Deleve”, nëpërmes të cilit prezanton turizmin rural dhe malor të komunës. Nisja bëhet në mënyrë të organinizuar nga oborri i Komunës së Deçanit për në Bjeshkën e Roshkodolit, ora 09:00. (Bjeshka e Roshkodolit, Deçan- 12:00)

Lëvizja Vetëvendosje organizon tryezë për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe dialogun Kosovë – Serbi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla S II- 13:00)

Vihet gurthemeli i Spitalit të ri të Ferizajt. Në ceremoni do të marrin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli; kryeministri Ramush Haradinaj; ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili; kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu etj. (Rr. “Driton Islami”, Ferizaj- 16:00)