Nënshkrimi i koalicionit Nisma-AKR për zgjedhjet në Drenas | Foto: KALLXO.com

Nënshkruhet Koalicioni për Drenas NISMA-AKR

Kandidatin e Nismës për Kosovën Isa Xhemajlaj në balotazhin e 18 dhjetorit për kreun e Komunës së Drenasit do ta ndihmojë edhe Elmi Thaçi i AKR-së.

Xhemajlaj e Thaçi në emër të partive për të cilat garuan nënshkruan koalicionin sot.

Fatmir Limaj, lideri i Nismës për Kosovën tha se janë duke vazhduar të transmetojnë vullnetin e qytetarëve të Drenasit, që shumica prej tyre ishin për ndryshim dhe se votat e AKR-së dhe Nismës ishin votat e ndryshimit.

Kandidati i Nismës, Isa Xhemajlaj, falënderoi AKR-në dhe Elmi Thaçin për këtë mbështetje që po i bëhet atij për Kryetar të Komunës së Drenasit.

“Kjo mbështetje më së shumti do t’u shërbejë qytetarëve të Drenasit të cilët vërtet e meritojnë një zhvillim ekonomik dhe se meritojnë të kenë ndryshime në këtë komunë”, tha Xhemajlaj.

Për të bërë marrëveshjen në mes këtyre dy partive ishte paraparë të ishte i pranishëm edhe Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, por Pacollin në këtë nënshkrim marrëveshjeje e zëvendësoi kryetari i AKR-së në Mitrovicë Agim Bahtiri.

Më 18 dhjetor në balotazhin për të parin e Drenasit do të garojnë Ramiz Lladrovci nga PDK-ja dhe Isa Xhemajlaj që përfaqëson Nismën për Kosovën.

Sipas rezultateve përfundimtare të miratuara nga KQZ-ja në të dielën e 4 dhjetorit Lladrovci mori 9458 vota, ose 45,34 për qind të atyre që votuan në Drenas, ndërsa Xhemajlaj u votua nga 5642 votues, ose 26, 19 për qind të numrit të përgjithshëm të atyre që dolën në zgjedhje.

Elmi Thaçi, ndihmuesi i Xhemajlajt sipas marrëveshjes Nisma-AKR fitoi të dielën 1589 vota, ose besimin e 7.62 për qind të votuesve.

http://kallxo.com/kqz-ja-del-rezultatet-perfundimtare-per-drenasin/

KALLXO.com shkroi dje se PDK-ja planifikon të garojë e vetme me Lladrovcin në balotazh, ndërsa zyrtarë të Nismës paralajmëruan nënshkrim të marrëveshjeve me ish-kandidatët tjerë dhe subjekte që ta përfaqësojnë.

http://kallxo.com/pdk-ja-shkon-vetem-ne-balotazhin-e-drenasit/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri