Në mungesë të deputetëve dështon Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mungesë të deputetëve nuk kishte kuorum për t’i nisur punimet.

Kryetari i këtij Komisioni, Driton Selmanaj tha se në mungesë të deputetëve punimet shtyhen për një ditë të pacaktuar.

“Deputeti Etem Arifi njëherë na ka thënë se po vjen, pastaj e anuloj. Deputetë të tjerë nuk po lajmërohen në telefon kështu që në mungesë të kuorimit e shtyjmë për një ditë tjetër”, tha ai.

Prezent në këtë Komision ishin vetëm deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, deputetja Emilija Redzepi nga radhët e AAK-së, Mergim Lushtaku nga PDK dhe Albert Kinolli nga 6+.

Gjithashtu, as Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Fitim Krasniqi nuk ishte prezent që të raportoj para komisionit, pasi që ndodhej jashtë vendit.

Në këtë Komision pika të rendit të ditës ishte shqyrtimi i Raportit të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2018, i ftuar Sekretari i Pergjithshëm, Ismet Krasniqi dhe shqyrtimi i raportit të ndarjes së buxhetit dhe shpenzimeve për vitet 2017 dhe 2018 për Programin e Komuniteteve në kuadër të ZKM-së, i ftuar Sekretari i Përgjithshëm, Fitim Krasniqi.