Pamje nga seanca e sotme e Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Në Mungesë Kuorumi Ndërpritet Seanca e Kuvendit

Pas pauzës dyorëshe, Kuvendi i Kosovës ndërpreu punimet e seancës plenare për t’i vazhduar nesër në orën 12:00.

Kjo për shkak të mungesës së kuorumit për miratimin e projektligjeve të propozuara, tha kryesuesi,  Xhavit Haliti.

Në pjesën e parë të seancës, pas miratimit të tri marrëveshjeve ndërkombëtare, në mungesë të votave të mjaftueshme Kuvendi dështoi ta votojë edhe Projektligjin e për Themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa, në pjesën e dytë, edhe pse u shqyrtua në parim, për mungesë kuorumi nuk kaloi Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili garanton themelimin e Këshillit për mbrojtjen e fëmijëve si dhe parandalon diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të tyre.

Në mungesë të kuorumit nuk u arrit të miratohet as Projektligji për Kamatëvonesa.

Sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, tërhoqi nga rendi i ditës pikën 12 – Projektligjin për Kinematografinë, me arsyetimin “se njerëzit e kësaj fushe mendojnë që ne ende mund të punojmë që ky të përmirësohet”.

Ndërsa rendit të ditës iu shtuan tri pika të tjera: Programi Fulbright, i cili u miratua si dhe Projektligji për Kamatëvonesat dhe ai për Sigurinë në Komunikacion.

Nesër do të shqyrtohen pikat e mbetura të rendit të ditës.

http://kallxo.com/live-nga-seanca-e-kuvendit/