Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Mustafa Dënon Tentim Grusht Shtetin në Turqi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj zhvillimeve në Turqi, ku një fraksion i ushtrisë është përpjekur të kryejë grusht shteti.

“Në këto momente sfiduese për Turqinë, fuqimisht përkrah institucionet e dala nga vota me vullnetin e qytetarëve të këtij vendi mik të Kosovës. Në shoqëritë demokratike me shtetin qeverisin ata që kanë marrë mandatin nga populli”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” kryeministri Mustafa, i cili ka uruar që sa më shpejtë të stabilizohet gjendja në Turqi dhe të mos ketë viktima të pafajshme.

Ndërkohë, agjencia proqeveritare turke e lajmeve “Anadolu” njofton sot se së paku 90 persona janë vrarë e mbi 1,150 janë plagosur gjatë përpjekjes për puç ushtarak të kryer gjatë natës në Turqi.

Agjencia njofton po ashtu se përpjekja për grusht shtet gati është shtypur me dorëzimin e shumicës së ushtarakëve kryengritës, të cilët kishin në dorë avionët bombardues dhe tanket.