Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Mungesat e Shumta Shtyjnë Gjyqin për Ryshfet

Mungesa e një anëtari të trupit gjykues, për të cilin u tha se është në pushim vjetor, e prokurorit dhe avokatëve, bëri që të dështojë seanca kundër pesë personave, katër prej të cilëve punonin në KEDS-it, e të cilët akuzohen për marrje të ryshfetit.

Gjyqtarja Shpresa Hyseni tha në fillim të seancës se trupi gjykues, të cilin e kryeson ajo, nuk është i kompletuar pasi që mungonte gjyqtari Nexhmedin Sejdiu, i cili është në pushim vjetor.

Hyseni tha po ashtu se në seancë mungon edhe prokurorja e rastit, Fikrie Fejzullahu, e cila mungesën e saj nuk e ka arsyetuar.

Në këtë seancë gjyqësore munguan edhe avokatët Anton Nokaj, Sadri Godanci dhe Nasuf Hasani.

Të  pranishëm ishin të akuzuarit Eset Tahiri, Gëzim Gashi, Jusuf Shaljani dhe Qamil Bekteshi, ndërsa i akuzuari Xhemajl Ramadani ka munguar pasi që kryetarja e trupit gjykues kishte anuluar urdhëresën për ta sjellë atë në paraburgim.

Këto mungesa bënë që seanca të dështojë.

Kryetarja e trupit gjykues caktoi  16 shtatorin si ditë kur do të mbahet seanca e ardhshme.

Prokuroria ngriti aktakuzë me 18 qershor 2015 kundër Eset Tahirit, Gëzim Gashit, Jusuf Shaljanit, Qamil Bekteshit dhe Xhemajl Ramadanit.

Eset Tahiri, Jusuf  Shaljani, Qamil Bekteshi dhe Gëzim Gashi nga prokuroria akuzohen  për marrje të ryshfetit më datën 17 nëntor 2014 derisa ishin në kryerjen e detyrës zyrtare në cilësinë e teknikëve të humbjeve komerciale në KEDS.

Sipas aktakuzës, atë ditë këta katër persona në hotelin “Begolli” në Prishtinë nuk e evidentuan një kabllo nëpërmjet të cilës vidhej rryma, pasi i morën 1 mijë euro nga Xhemajl Ramadani për të mos ia shkyçur rrymën dhe për të mos konstatuar vjedhjen.

KALLXO.com e përcolli edhe më herët këtë gjykim.

http://kallxo.com/kundershtohet-aktakuza-ndaj-punetoreve-te-keds-it/

http://kallxo.com/i-akuzuari-kerkon-avokat-ne-gjykimin-e-punetoreve-te-keds-it/