Mungesa e Prokurorit Shtyn Seancën e Korrupsionit
Kryetari i trupit gjykues njoftoi të akuzuarit se sot është njoftuar përmes SMS-së nga prokurori i rastit se nuk do të jetë i pranishëm sepse është në një seminar në Durrës.
Në seancë munguan gjithashtu edhe të akuzuarit Bahri Shabani dhe Sami Rrahmani.
Gjykatësi Beqir Kalludra paralajmëroi se do të urdhërojë sjelljen me forcë të Shabanit e Rrahmanit për seancën e radhës, ndërsa për mungesën e prokurorit tha se do të njoftojë Kryeprokurorin e Shtetit.
Për shkak të këtyre mungesave gjyqtari Kalludra konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, ndërsa seanca e radhës e caktoi në muajin qershor.
Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Bahri Shabani, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani.
Këta të tre akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës në bazë të marrëveshjes kanë përvetësuar mjete financiare.
Sipas aktakuzës të prokurorisë, Bahri Shabani si kryetar i BSPK-së, Rrahman Emini financier i saj dhe Sami Rrahmani shofer kanë kryer veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Prokuroria pretendon se në bazë të urdhrit të Shabanit, i akuzuari Emini më 11 nëntor 2005 ka tërhequr nga arka si huazim për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale shumën prej 11 mijë e 500 eurove, të cilat i ka pranuar i akuzuari Sami Rrahmani, ndërsa për këtë nuk ka ekzistuar ndonjë kontratë huazimi me ministrinë.