Albert Veliu, zyrtar i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork - Foto: Facebook

MPJ: Albert Veliu Është Shofer në Konsullatën e Nju Jorkut

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Fitim Sadiku e ka konfirmuar për KALLXO.com se i arrestuari Albert Veliu ka punuar si shofer në konsullatën e Kosovës në Nju Jork.

“Ai ka qenë vozitës në konsullatën e përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork. Ai ka një kohë që është duke punuar si vozitës, por nuk e dimë ende se sa kohë. Ende nuk kam arritur të kontaktoj me konsullen, Teuta Sahatqija që të shohim nëse gjatë kësaj kohe ai ka qenë në punë, apo në pushim vjetor sepse tani është kohë e verës, por ai ka qenë në marrëdhënie pune si staf mbështetës në cilësinë e vozitësit”, tha për KALLXO.com sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, Fitim Sadiku.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve e Kosovës ka zhvilluar dje një aksion, i cili ka rezultuar me zbulimin e strukturës së një grupi të dyshuar kriminal që vepronte në Republikën e Kosovës, Republikën e Çekisë dhe në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për paraburgim për personat e arrestuar në Kosovë.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, të dyshuarit si grup kriminal me disa persona në SHBA, për qëllime të përfitimit të kundërligjshëm, duke bërë tregti me armë dhe narkotik i pandehuri Albert Veliu që ndodhet në Amerikë ka organizuar shitblerjen dhe trafikimin e narkotikëve dhe armëve në Kosovë përmes të pandehurve, Artan Kelmendi, Miftar Dobraj, Danjell Prendrecaj dhe Dren Mulla për blerjen e një sasie të madhe të armëve automatike AK-47.

http://kallxo.com/trekendeshi-kallashnikoveve-kosove-ceki-nju-jork/