Miratohet rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës në Bibliotekën Kombëtare

Qeveria e Kosovës ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme, Projekt Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

Miratimi i kësaj rregulloreje për funksionin të brendshëm në BKK, “Pjetër Bogdani” nga ana e Qeverisë, erdhi pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi.

Objektivat kryesore të kësaj projekt-rregulloreje, sipas MKRS-së janë organizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në harmoni të plotë me Ligjin për Administratën Shtetërore të Kosovës.

Sipas një njoftimi për media të MKRS, ministri Gashi citohet të ketë thënë se miratimi i kësaj rregulloreje do të sjellë qartësi të një niveli më të lartë, dhe do të ndikoj edhe në përformancën e stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, pasi që do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në funksionimin e strukturës organizative.

“Dispozitat e kësaj Rregulloreje janë në përputhje me dispozitat e legjislacionit të BE si dhe me  prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Kjo Rregullore ka kosto buxhetore, mirëpo nuk krijon obligime buxhetore shtesë pasi që mjetet financiare do te ndahen nga linja për Paga dhe Mëditje e BKK ‘Pjetër Bogdani”, ka potencuar Gashi para kabinetit qeveritar gjate propozimit të projekt rregullores.

Ai pohoi më pas se nuk do të ketë nevojë për krijim të mekanizmave shtesë, sepse  mekanizmat për zbatimin e saj tanimë janë funksionale