Dëgjimi publik në Komisionin për Legjislacion

Ministrja nuk Shkon në Diskutimin Kundër Korrupsionit

Me arsyetimin se ka agjendë të ngjeshur në ditën e sotme, ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha nuk shkoi në Komisionin për Legjislacion ku ishte planifikuar një dëgjim publik i saj dhe i kreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit Shaip Havolli në lidhje me luftën kundër korrupsionit.

Mungesën e ministres e bëri të ditur në këtë dëgjim, kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu.

“Ministrja Hoxha ka lajmëruar dje se nuk mund të vijë për shkak të agjendës së ngjeshur në kuadër të javës së korrupsionit. Ky arsyetim nuk qëndron për shkak se edhe ky dëgjim publik është në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit. Dhe ajo nuk mund të ketë dy takime në të njëjtën kohë,” tha Albulena Haxhiu.

Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se Dhurata Hoxha mori pjesë në një takim të UNDP-së në lidhje me projektin për mbështetjen e fuqizimit të ligjit në Kosovë.

Hoxha nuk shkoi as në Komisionin për Integrime Europiane më 29 nëntor pa dhënë ndonjë arsye.

http://kallxo.com/dhurata-hoxha-nuk-raporton-para-deputeteve/

Në dëgjimin publik kundër korrupsionit i pranishëm ishte drejtuesi i Agjencisë Kundër Korrupsionit Shaip Havolli.

Haxhiu kërkoi të dijë nga Havolli se pse kallëzimet penale që i bën kjo agjenci po hidhen poshtë nga prokuroria dhe po parashkruhen (vjetrohen).

“Kemi kallëzime penale që hidhen por tash kemi kërkuar që para se ta bëjmë kallëzimin penal të bisedojmë me prokurorinë e shtetit. Ka progres në zbatimin e ligjeve, sepse ka aktakuza por shpresojmë se ato nuk do të parashkruhen”, tha në mes tjerash Havolli.

Anëtari i Komisionit për Legjislacion Armend Zemaj tha se korrupsionin mund ta luftojnë vetëm ata që nuk janë të përfshirë në këtë dukuri.

“Luftimi i korrupsionit bëhet me njerëz që në të kaluarën e tyre nuk kanë afera korruptive. Ajo çka na mungon është dënimi efektiv për rastet e korrupsionit. Legjislacioni nuk është pengesë për luftimin e krimit dhe korrupsionit,” tha Zemaj.

Pal Lekaj nga AAK-ja tha se korrupsioni nuk duhet të luftohet vetëm nëpër tryeza e as në javë që i dedikohen kësaj lufte.

“Kosova është duke u përballur me nivelin ma të lartë te korrupsionit. Korrupsioni nuk mund të luftohet në tryeza e as për një javë, por luftohet në mënyrë sistematike e përmes ligjeve. Derisa ka përzierje në të gjithë zinxhirin komandues, nga lart-poshtë, e kemi shumë të vështirë ta luftojmë korrupsionin,” tha Lekaj.

Të pranishëm në këtë dëgjim publik ishin edhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike e vlerësoi lart faktin që deputetët nuk po thonë se korrupsioni në Kosovë është perceptim.

“Është hap i madh që deputetët po e pranojnë që korrupsioni i lartë në Kosovë nuk është çështje perceptimi. Ne nuk e kemi luksin që ta luftojmë korrupsionin me deklarime të bukura, e që nuk pason asgjë pas tyre”, tha në mes tjerash ai.

Edhe pesë ambasadoret e vendeve më të fuqishme në përkrahje të Kosovës kanë dhënë porositë e në hapjen e Javës Kundër Korrupsionit ku alarmuan për nivelin e korrupsionit në Kosovë.

http://kallxo.com/ambasadoret-korrupsioni-e-minon-shtetin/

Në kuadër të javës kundër korrupsionit është hapur edhe muzeu i korrupsionit.

http://kallxo.com/hapet-muzeu-korrupsionit/

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” është shpërblyer me storien më të mirë televizive kundër korrupsionit.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-shperblehet-me-cmim-kunder-korrupsionit/