Milaim Zeka: Ministria e Ambientit ka kërkuar ryshfet nga biznesmeni që kërkonte të ndërtonte në Brezovicë

Deputeti Milaim Zeka ka bërë akuza të rënda ndaj Ministrisë së Mjedisit, duke thënë se kanë kërkuar ryshfet nga një biznesmen që donte të ndërtonte hotel në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Zeka megjithatë nuk ka treguar se kush saktësisht nga ministria ka kërkuar ryshfet apo në cilin mandat.

“Pse nuk po tregojnë që ministritë tona janë me e shkatërru biznesin privat, me e blloku investimin e mërgatës shqiptare këtu.Një biznesmen i quajtur Sabri Novosella, pronar i ‘Nanës Naile’  ka kërkuar me ndërtu një hotel ne Brezovicë me pesë yje, Ministria e Ambientit i ka kërkuar 800 mijë euro ryshfet, pastaj  kanë ra në 600 mijë euro plus dy banesa në Prishtinë. I kanë thanë banesat në Prishtine e jo në Brezovicë sepse problem me i shitë”, tha Zeka.

Dikush nga deputetët e ka pyetur Zekën se nga kush iu ështe kërkuar ryshfeti.

Ndërsa deputeti Zeka iu përgjigj “le ta interviston prokuroria Sabri Novosellan”

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj kërkoi informacione nëse Zeka e ka dorëzuar në prokurori këtë rast.

“Është akuzë e jashtëzakonshme kur nje deputet ne foltore thotë se Ministria e Ambientit i ka kërkuar 800 mije euro, e pastaj ka ra në 600 mijë euro. Andaj kërkova nga Zeka se a e ka denoncu personi rastin, ka e ke marrë Zeka informacionin, a e ke denoncuar rastin” tha Nitaj.

Ndërsa në replikën e tij deputeti Zeka tha që këtë informacion e ka marrë nga vet Sabri Novosella.

“Unë prej që jam deputet, kurrë nuk kom vringllat as nuk kom shllajfit kur kom fol, jam i vetmi deputet që po flas me emra me mbiemra me fakte pa e fy kërkon, Ahmet Isufi është nga njerëzit më të ndershëm që unë i njoh në jetën time. Unë kallxova me emër mbiemër dhe informacionin e kam marrë drejtë për së drejti nga Sabri Novosella”, theksoi Zeka.

Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar diskutimin për heqjen e monopolit të homologimit, pa praninë e ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj si dhe pa praninë e asnjërit nga ministrat e qeverisë Haradinaj.