Mijëra Pjesëmarrës në Përvjetorin e Srebrenicës

Autobusë sollën njerëz nga i gjithë vendi për të përkujtuar 21-vjetorin e masakrës së më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë.

Atje u vendosën lule dhe u thanë lutje myslimane për 127 viktimat që janë identifikuar gjatë vitit të kaluar dhe eshtrat e të cilëve u varrosën në vendin e memorialit.

Më i riu nga viktimat ishte Avdija Memiq që ishte 14 vjeç kur u vra.

Kryetari i komunës së Srebrenicës Camil Durakoviq tha në ceremoninë përkujtimore se kërkimi për rreth 1,000 viktima të tjera vazhdon ende dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që e dinë se ku janë varrosur trupa të tjerë të informojnë autoritetet.

Ai u bëri gjithashtu thirrje boshnjakëve që u larguan nga Srebrenica gjatë kohës së luftës të kthehen për të jetuar në qytet.

“Drejtësia do të jetë hakmarrja jonë. E qeshura e fëmijëve tanë, të cilët do të vijnë dhe do të jetojnë këtu, do të jetë hakmarrja jonë,” tha Durakoviq.

Carmel Agius, presidenti i gjykatës së krimeve të luftës të OKB-së në Hagë, tha se vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare shërbenin “si një kujtesë e barbarizmit”, por ishin të nevojshme më shumë përpjekje për të arritur pajtimin.

“Vetë drejtësia nuk është e mjaftueshme. Nevojiten procese që i sjellin më pranë me njëri-tjetrin boshnjakët, kroatët dhe serbët,” tha Agius.

Boshnjakët e Malit të Zi përkujtojnë viktimat e Srebrenicës

OJQ-ja Forumi i Boshnjakëve në Malit të Zi të hënën shënoi 21 vjetorin e Srebrenicës, duke vendosur lule në një monument për nder të viktimave të luftërave të viteve 1990 në Parkun Pobrezje të Podgoricës.

Forumi gjithashtu bëri një deklaratë ku argumentoi se Mali i Zi ende nuk është përballur plotësisht me të shkuarën e tij dhe u bëri thirrje autoriteteve të ndihmojnë në krijimin e një Qendre Kërkimore-Dokumentacioni për të mbledhur dhe “për të ruajtur nga shkatërrimi” faktet mbi krimet e luftës në vitet 1990.

Ai akuzoi gjithashtu autoritetet se nuk kanë bërë mjaftueshëm për t’u siguruar që kriminelët e luftës të ndëshkohen.

“Sistemi gjyqësor i Malit të Zi që trajton krimet, ende nuk ka pushtet për të dënuar dhe ndëshkuar autorët e krimeve të luftës në vitin 1990,” tha një përfaqësues i Forumit, Mirsad Rastoder.

Lëvizja Qytetare opozitare URA bëri gjithashtu një deklaratë duke shprehur keqardhjen e tyre për familjet e viktimave të Srebrenicës, duke thënë se “nuk ka alternativë për bashkëjetesë”.

Partia tha se Mali i Zi nuk ka bërë sa duhet për të ndëshkuar autorët e krimeve të luftës në vend dhe ata që i urdhëruan ato.

Më shumë se 10 për qind e popullsisë së Malit të Zi është e përbërë nga boshnjakë dhe myslimanë. Pas shpërthimit të luftës në Bosnjë, disa prej tyre iu nënshtruan kërcënimeve dhe torturave.

Këshilli i Ministrave të Bosnjës e shpalli 11 korrikun ditë zie në të gjithë vendin dhe flamujt në institucionet e nivelit shtetëror u ulën në gjysmë shtizë.

E mbijetuara e Srebrenicë Nermina Muminoviq tha se 127 viktimat që u varrosën të hënën u vranë sepse ishin boshnjakë.

“Ata u rikthyen në luginën e gjelbër me gurë të bardhë varri 21 vjet pas gjenocidit,” tha Muminoviq, e cila ishte 13 vjeçe në kohën e masakrave.

Ajo tha se pavarësisht vrasjeve, ajo ishte kthyer përsëri të jetonte në Srebrenicë.

“Dy vajzat e mia janë prova që kriminelët s’do të fitojnë kurrë,” tha ajo.

Përkujtimi i përvitshëm ka shkaktuar gjithashtu polemika, pasi komisioni organizues i kryesuar nga Durakoviq, tha se udhëheqësit politikë serbë të cilët kanë mohuar se vrasjet masive ishin gjenocid, nuk do të ftohen të marrin pjesë.

Vitin e kaluar, përkujtimet e 20-vjetorit patën probleme kur kryeministri serb Aleksandër Vuçiq u sulmua me shishe dhe gurë nga pjesëmarrësit e zemëruar.

Serbia pranon se masakra e Srebrenicës ishte krim, por nuk e përcakton atë si gjenocid, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, tha të hënën se ai s’do ta pranojë kurrë që masakrat e Srebrenicës ishin gjenocid, duke u shprehur se numri i viktimave është ekzagjeruar, raportoi televizioni rajonal N1.

“Nuk do ta pranojmë gjenocidin. Nuk ka pasur gjenocid,” tha Dodik.

“Më vjen keq t’i them këto gjëra sot. Nuk dua të anashkaloj dhimbjen e askujt, por kjo është shndërruar në një çështje politike,” shtoi ai.

Megjithatë politikani serb opozitar Çedomir Jovanoviq, lideri i Partisë Liberale Demokratike, mori pjesë në përkujtimoren në Srebrenicë, duke thënë se kjo ishte “një detyrim njerëzor dhe detyrim politik”.

“Është e nevojshme të mbajmë një qëndrim më të qartë në lidhje me atë që ndodhi në Srebrenicë. Derisa të ndodhë kjo, banorët e Serbisë do të mbajnë barrën e asaj që ndodhi këtu,” tha Jovanoviq, i cili ishte një nga deputetët që muajin e kaluar u përpoq të bindte parlamentin serb të miratonte një rezolutë që dënon gjenocidin e Srebrenicës.

Ndërkohë, aktivistë në Beograd do të ndezin qirinj jashtë parlamentit serb për të përkujtuar viktimat e Srebrenicës.