Mega-Shtegu Ballkanik Ringjall Shtigjet e Lashta të Komunikimit

Entuziastët e ecjes në mal, organizatat dhe kompanitë private nga Ballkani Perëndimor po zhvillojnë një shteg të gjatë të quajtur Via Dinarica për të lidhur rajonin nga Sllovenia deri në Shqipëri përmes një serie shtigjesh për ecje në mal në këmbë apo me biçikleta, shteg që do të vijojë për rreth 2 mijë kilometra gjatë alpeve dinarike.

“Ky është një projekt shumë sfidues,” thotë Olja Latinovic, koordinatore e projektit nga organizata jofitimprurëse Terra Dinarica – e cila po udhëheq zhvillimin e shtegut Via Dinarica në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ideja origjinale lindi në vitin 2006 kur Gordan Papac, një ekspert për turizmin malor nga Kroacia zbuloi mundësinë për të lidhur shtigjet ekzistuese përgjatë alpeve dinarike në një shteg të vetëm duke ndjekur shembuj të ngjashëms si Via Alpina, të cilat aktualisht ekzistojnë në Evropë, apo shtegu i maleve Apalash në SHBA.

Gjithsesi, puna për zbatimin e këtij projekti filloi vetëm në vitin 2013, kur donatorë ndërkombëtarë si USAID dhe UNDP filluan ta mbështesin atë, tha Latinovic.

Megjithëse ekzistojnë tri itinerare të ndryshme, vetëm njëri prej tyre – i cili lidh majat më të larta në alpet Dinarike – është aktualisht funksional dhe i shënuar përgjatë segmentit të tij në Bosnjë.

Shtegu (i shënuar me të bardhë mbi hartë) fillon në Slloveni pranë shpellave Postojna dhe zgjatet përgjatë alpeve kroate para se të hyjë në Herzegovinë (rajoni jugor i Bosnjës), parku kombëtar Durmitor në Malin e Zi dhe Alpet e Shqipërisë.

shtegu1

Një nga synimet e projektit është që të lidhë në mënyrë natyrore shtatë shtete të Ballkanit Perëndimor duke krijuar apo rihapur shtigje të lashta, përfshirë rrugë të lashta tregtare të cilat për shekuj u shfrytëzuan nga barinjtë dhe tregtarët dhe që të gjitha janë të lidhura nga një trashëgimi natyrore dhe kulturore e përbashkët, shton Latinovic.

Sipas promovuesve të projektit, themelimi i Via Dinarica jo vetëm do të nxisë potencialin e rajonit për turizëm, por do të lejojë edhe zhvillimin e disa zonave rurale në shumë vende gjatë shtegut, duke nxitur banorët e fshatrave të largëta të ofrojnë shërbime dhe strehim për të apasionuarit e ecjes në mal.

shtegu2

“Via Dinarica përfaqëson një mundësi të madhe për zhvillimin e rajonit tonë,” thotë për BIRN Ante Vukadin, i cili është anëtar i një organizate të apasionuarish pas ecjes në mal në qytezën juglindore Tomislavgrad dhe që ka kontribuar për krijimin e shtegut.

“Ne patëm rreth 400 vizitorë përgjatë një sezoni gjashtëmujor më 2015… kur projekti po zhvillohej, ne presim të kemi rreth 2 mijë turistë dhe alpinistë,” shtoi Vukadin.

shtegu3 shtegu4 shtegu5 shtegu6 shtegu7 shtegu8