Mbi 42 mijë euro mbështetje për pjesëmarrje të filmave kosovarë në festivale ndërkombëtare

Qendra Kinematografike e Kosovës ka dhënë mbi 42 mijë euro për mbështetje të pjesëmarrjes së filmave kosovarë në festivale ndërkombëtare, apo edhe në evente tjera për dhe rreth filmit gjatë viti 2018.

Drejtori i QKK-së, Arben Zharku ka pohuar për KALLXO.com se shuma e përgjithshme që është shpenzuar për të mbështetur kineastët kosovarë në aktivitete të promovimit për vitin 2018 është 42.500 euro.

Sipas tij, janë shumë projekte që janë mbështetur gjatë vitit 2018 në promovim në festivale të ndryshme, ndër ta projektet filmike si: ‘Me dasht Me Dasht Me dasht’, ‘Martesa’, ‘Nëntor i ftoftë’, ‘Delegacioni’, ‘Ajo’, ‘Gardhi’, ‘Kthimi’ etj, filma këta që siç ka thënë Zharku kanë marrë pjesë në festivale të ndryshme prestigjioze botërore.

“Pastaj në bazë të partneritetit që kemi me festivale të ndryshme si ‘Rotterdam Film Festival’, ‘Trieste Film Festival’, ‘Les Arcs Film Festival’ ka pasur një pjesëmarrje të shumë producentëve në programet me projektet filmike”, ka pohuar Zharku.