Arsyetimi i Zharkut për mëditjet më të mëdha se rroga (VIDEO)

Arben Zharku, gjatë kohës sa ishte drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), ka marrë mëditje që për mijëra euro tejkalonin rrogën e tij.

Në emisionin “Kallxo Përnime” është bërë e ditur se Zharku, përveç rrogës, mori mëditje dhe disa vite u pagua nga fondi për kuadrot.

Prej vitit 2014 e deri më 2018, mëditjet e Zharkut janë rritur në vazhdimësi.

Në vitin 2017, Zharku mori mëditje sa dyfishi i rrogës së tij vjetore. Në këtë vit mëditjet e Zharkut arritën në 13.200 euro, përkundër që rroga e tij ishte 6.300 euro.

Zharku tha gjatë intervistës në emisionin “Kallxo Përnime” se ka marrë mëditje për udhëtimet zyrtare, siç parashihet me ligj dhe angazhimet tjera.

“Është çështje (honoraret) që të takon si zyrtarë i shtetit. Është e vërtetë se është dyfishuar rroga ime, por ajo ka ardhur si rrjedhojë e udhëtimeve të mia të ndryshme, angazhimeve nëpër komision e jam paguar për atë”, ka thënë ai, gjatë intervistës në emisionit “Kallxo Përnime”.