Si u dyfishuan të ardhurat e Arben Zharku si drejtor i QKK-së?
Ish-drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), Arben Zharku, po del të jetë njëri prej drejtorëve më të paguar në krye të institucioneve të kulturës.
Prej vitit 2014 e deri më 2018 të ardhurat e Zharkut në krye të QKK-së janë dyfishuar. Gjatë emisionit “Kallxo Përnime” është bërë e ditur se Zharku, përveç rrogës, mori honorare të majme dhe disa vite u pagua nga fondit për kuadrot.
Të ardhurat vjetore të tij më 2014 ishin 8.388 euro, ndërsa më 2017 arritën në 19,500 euro.
Ai tha gjatë intervistës në emisionin “Kallxo Përnime” se ka marrë mëditje për udhëtimet zyrtare, siç parashihet me ligj.
“Është e vërtetë se është dyfishuar rroga ime, por ajo ka ardhur si rrjedhojë e udhëtimeve të mia të ndryshme, angazhimeve nëpër komision, e jam paguar për atë”, ka thënë ai.