Policia konfirmon se po e trajton rastin ndaj Arben Zharkut

Policia e Kosova është duke i trajtuar pretendimet ndaj Arben Zharkut lidhur me dyshimet për keqmenaxhim në Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka konfirmua se është duke i trajtuar dyshimet ndaj Zharkut, por nuk ka dhënë më shumë informacione.

Në dhjetor të 2021, Ministria e Kulturës e shkarkoi Zharkun nga posti i drejtorit të QKK-së, pas dyshimeve për keqmenaxhim dhe futje në borxhe të qendrës.

Zharku i mohoi akuzat dhe lëndën e dërgoi në gjykatë.

Përveç shkarkimit MKRS kishte kërkuar edhe hetime nga Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia e Krimeve Ekonomike, për të hetuar dyshimet për keqmenaxhin në QKK-në.

Kërkesa për hetime në QKK

Në korrik të 2021, Zharku u pezullua nga posti i drejtorit të QKK-së. Por dy javë para se të pezullohej, MKRS kishte kërkuar hetime nga policia lidhur me dyshimet për keqmanaxhin ndaj ish-drejtorit Zharku.

MKRS nuk ka pranuar të tregojë për KALLXO.com se cilat lëndë i ka dërguar në polici për t`i hetuar pretendimet për keqmennaxhim në QKK.

Ndërsa, Policia e Kosovës ka konfirmuar trajtimin e këtij rasti, por nuk ka dhënë detaje.

“Policia (drejtoria përkatëse) është duke e trajtuar rastin për të cilin jeni interesuar dhe në këtë fazë nuk mund të thuhet asgjë më shumë”, kanë thënë nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, lidhur me rastin e Zharkut.

As Zharku nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me hetime ndaj tij, deri në publikimin e artikullit.

Por, gjatë një interviste për KALLXO.com, në mars të këtij viti ai tha se asnjëherë nuk është pyetur nga policia lidhur me dyshimet e ngrituar ndaj tij.

Kurse, zyrtarë të QKK-së i thanë KALLXO.com se nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga policia për të hetuar lidhur me dyshimet për keqpërdorime, përveç asaj të 2018-ës.

“Jo nuk kemi pasur kërkesë të tillë. Ka qenë një kërkesë e Policisë në vitin 2018, por këto 4 vite të tjera me dijeninë time dhe të stafit jo”, ka thënë Lum Çitaku, zëvendësues i drejtorit të QKK-së.

Ndërsa në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, kanë thënë se nuk kanë pasur kërkesë për procedurë hetimore ndaj ish-drejtorit të QKK-së.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, deri më tani nuk ka pranuar diçka lidhur me këtë çështje”, ka thënë për KALLXO.com, Laureta Ulaj, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Pretendimet për keqmenaxhim ndaj Zharkut

Zharku po dyshohet se e ka futur QKK-në në borxhe, duke mbështetur projekte filmike pa pasur buxhetin e konfirmuar, se ka favorizuar jashtëligjshëm mbështetjen e projektit të filmit “Ekzil’ dhe nuk ka krijuar një mekanizëm për realizimin e të hyrave nga bashkëprodhimi i filmave të mbështetur nga QKK-ja, sipas nenit 42 të Ligjit për Kinematografinë.

Një Komisioni Disiplinor i themeluar në kuadër të QKK, kishte hetuar pretendimet e ngritura nga Këshilli Drejtues i QKK-së, për keqpërdorim të detyrës nga ish-drejtori.

Komisioni kishte konstatuar se borxhet QKK-së (2018, 2019, 2020) kapin shifrën afër 2 milionë euro. Zharku ngarkohet nga Komisioni edhe për parregullsitë e gjetura lidhur me subvencionim e filmit “Ekzil” dhe alokim të gjithë shumës së subvencionuara për njëherë producentit të këtij filmi, në kundërshtim me ligjin për kinematografinë dhe rregulloren për subvencionim.

Zharku i kishte mohuar akuzat dhe ishte ankuar në MKRS. Por, në fillim të dhjetorit 2021 Komisioni i Ankesave në MKRS kishte konfirmuar disa prej të gjeturave të Komisionit Disiplinor. Pak ditë pas vendimit të Komisionit të Akesave, MKRS ia shkëputi kontratën Zharkut, pak muaj para se t’ i skadonte mandati i dytë (mars 2022) në krye të QKK-së.

Zharku ishte zgjedhur për herë të parë në krye të QKK-së më 13 dhjetor 2013, ndërsa, në 2018 ai fiton mandatin e dytë si drejtor i QKK-së.